Curraj i Epërm: Top Destinacioni Jonë për Vitin 2024

Në një vit të mbushur me udhëtime të jashtëzakonshme, një destinacion na la gjurmë të thella — Curraj i Epërm. I fshehur thellë në Alpet Shqiptare, ky fshat i largët është një vend ku koha ngadalësohet, natyra mbretëron dhe çdo çast të duket si një përrallë. Mbresat ishin aq të mëdha sa e përjetuam magjinë e tij në dy stinë krejt të ndryshme.

Udhëtimi jonë i fundit ishte një aventurë që na sfidoi fizikisht, por na shpërbleu me peizazhe mahnitëse, histori dhe ngrohtësinë e mikpritjes vendase.

Dita 1: Udhëtim drejt Izolimit – Tranporti me Traget dhe Shtigjet Malore

Aventura jonë nisi herët në mëngjesin e së shtunës me nisjen drejt fshatit të largët të Curraj i Epërm. Duke zgjedhur tragetin në liqenin e Komanit, nisëm një udhëtim tre orësh përmes kanioneve të ngushta dhe ujërave smerald. Ky lundrim panoramik — që shënonte edhe udhëtimin e fundit për sezonin — na ofroi pamje mahnitëse nga bukuria e egër.

Pas mbërritjes në Fierzë, nisi udhëtimi i vërtetë. Duke udhëtuar më thellë në Alpet Shqiptare, arritëm në Qafën e Mrrethit. Aty, disa prej nesh zgjodhën të zbresim në këmbë drejt luginës. Kjo ecje 1.5-orëshe ishte mënyra ideale për t’u zhytur plotësisht në natyrën e paprekur, të rrethuar nga maja të larta dhe qetësinë e thellë të maleve.

Në orët e pasdites, pas një udhëtimi prej 8-9 orësh, më në fund mbërritëm në Curraj të Epërm. Fshati, i rrethuar nga male madhështore dhe një lum që e përshkonte mes përmes, dukej sikur ishte shkëputur nga një tjetër botë. U sistemuam në bujtinën mikpritëse @guesthouse.prebibaj, duke pritur me padurim ushqimet tradicionale të zonës.

Dita 2: Eksplorimi i fshatit Curraj i Epërm

Të nesërmen, pas një mëngjesi të bollshëm, nisëm eksplorimin e Curraj i Epërm. Dikur i arritshëm vetëm në këmbë, izolimi e ka ruajtur autenticitetin dhe shkëlqimin natyror.

Në zemër të fshatit qëndron një kishë historike e ndërtuar në vitin 1897, dëshmitare e qëndresës së fshatit dhe e stuhive historike që ka kaluar. E mbijetuar nga periudha e komunizmit, kjo kishë sot po restaurohet me dashurinë dhe përkushtimin e banorëve vendas.

Më pas, ndërmorëm një shëtitje prej pesë orësh (vajtje-ardhje) drejt shpellës “Bira e Zezë” në Qerresh të Curraj i Epërm. E vendosur në rajonin Nikaj-Mertur, Bira e Zezë është një mrekulli natyrore që bie në sy.

Pas një ecjeje relativisht të lodhshme, rikthehemi në bujtinë për të pushuar dhe konsumuar darkën. Të nesërmen nga priste një ditë tjetër po aq e lodhshme.

Magjia e Dyfishtë: Verë dhe Vjeshtë në Curraj i Epërm

Ndërsa ky udhëtim i vjeshtës na dhuroi ajër të freskët dhe një peizazh të artë, vizita jonë në gusht na tregoi një anë krejt tjetër të fshatit. Livadhet alpine ishin të mbushura me gjelbërim, lumi gumëzhinte nga vizitorët që laheshin, dhe lulet e egra ngjyrosnin çdo shteg.

Të dyja stinët shpalosën dy pamje të ndryshme, po njësoj të magjishme të fshatit. Vera rrezatonte energji dhe thërriste në aventura në natyrë, ndërsa vjeshta të ftonte në qetësi dhe reflektim mes ngjyrave të ngrohta.

Pse Curraj i Epërm ishte Destinacioni Jonë Numër 1 për 2024?

Curraj i Epërm është shumë më tepër sesa një fshat i largët — është një udhëtim pas në kohë. Shtëpitë karakteristike të banorëve, peizazhet e paprekura dhe ndjesia e qetësisë e bëjnë këtë vend një destinacion që do ta konsiderojmë ta vizitojmë përsëri.

Një falënderim i përzemërt për @guidaalbania që organizoi këtë udhëtim, për udhërrëfyesin tonë lokal @ceskprebibaj që ndau me ne historitë dhe sekretet e fshatit, si dhe @guesthouse.prebibaj për mikpritjen që na bëri të ndiheshim si në shtëpi.

Po planifikon aventurën tënde?
Curraj i Epërm të pret — një parajsë e fshehur për ata që kërkojnë diçka më shumë se të zakonshmen. Një vend ku natyra, historia dhe komuniteti bashkohen për të krijuar një përvojë të paharrueshme.

Dëshironi të zbuloni një tjetër nga përvojat tona më të mira në 2024?
Shikoni blogun tonë rreth eksplorimit të lumit mahnitës të Shalës këtu: Eksplorimi i Parajsës së Fshehur të Lumit të Shalës